Intervista me Mevlan Adilin, futbollistin e ri të skuadrës rumune të UTA Arad

Mevlan Adili janarin e këtij viti vendosi të ndryshojë skuadër dhe të transferohet në Ligën e Dytë Rumune, duke nënshkruar me skuadrën e UTA Arad, skuadër e cila  pjesën e parë të sezonit në Ligën e Dytë rumune e mbylli në pozitën e dytë me 39 pikë të tubuara, 6 më pak se skuadra kryesuese e Juventus Bukureshti.

Adili shpreson se edhe pas përfundimit të sezonit skuadra e tij do të mbetet në këtë pozitë dhe se në fund gjithë së bashku do ti gëzohen inkuadrimit në Superligën rumune.

Ai në intervistën e zhvilluar me ne foli edhe për pritjen që i është bërë nga ana e drejtuesve dhe vetë futbollistëve të kësaj skuadre, për debutimin e tij në ndeshjen e së premtes kundër Mioveni, ndërsa gjithashtu foli edhe për dashurinë e përhershme, Shkupin dhe grupin më të mirë të tifozëve “SHVERCERAT”.

InOSport.mk: Mevlan para ca muajsh juve nënshkruat me ekipin e Ligës së Dytë nga Rumania, UTA Arad. Si erdhi deri te ky transferim dhe kush është më meritori për një gjë të tillë?

Mevlan ADILI: Falemenderimi i takon vetëm Allahut, kurse  më meritori për këtë transferim timin te skuadra e UTA Arad ishte Meriton Berisha.

InOSport.mk: Si jeni pritur në ekipin e ri dhe ishte i rëndë apo i lehtë adaptimi në një rreth të ri?

Mevlan ADILI: “Jam pritur jashtëzakonisht mirë. Kur erdha në fillim më pyetën për fejën time ju tregova që jam Musliman dhe ata më pyetën se a e  agjëron ramazanin, për asryje që gjatë Ramazanit të kem stërvitje më të lehta kurse nga futbollistët gjithashtu jam i kënaqur se kanë shumë respekt ndaj meje dhe nuk e kisha rëndë që të adaptohem dhe gjithashtu shumë shpejt arrita të mësojë shumë fjalë në gjuhën rumune.

InOSport.mk: Juve tashmë keni debutuar me ekipin e ri, keni ndjerë atmosferën e publikut, fushës dhe nivelin e futbollit rumun. Edhe pse është herët ndoshta për të bërë një krahasim, duke pasur parasysh se jeni një futbollist i ri në këtë kampionat, si qëndron me futbollin në vendin tonë për nga kualiteti dhe kushtet?

Mevlan ADILI: “Ishte kënaqësia ime, mendoj që çdo futbollistë dëshiron të ketë debutim me fitore, pikërisht mua më ndodhi, debutova me fitore dhe jam i lumtur për këtë. Atmosfera e publikut është shumë e mirë, ata kanë publik të zjarrtë të cilët na përkrahin çdo ndeshje qoftë në shtëpi qoftë si mysafir. Mirëpo kjo për mua nuk është diçka e re, pothuajse janë të ngjajshëm me tifozët e FC Shkupit, “Shvercerat”, për të cilët kam shumë respekt të madh. Mendoj që këtu shikohet më tepër futbolli dhe vlerësohet më tepër, ekipi jonë çdo javë është live në TV,po për ligën e parë mos të foli me siguri ato janë shumë më përpara se futbolli vendas  shpresoj që vitin e ardhshëm ta ndjej  ligën e parë rumune”.

InOSport.mk: Jeni një futbollist që pjesën më të madhe e keni kaluar te Shkupi, me siguri që i ndiqni edhe më tej ndeshjet e kësaj skuadre, si ju duk ndeshja e fundit me Renovën?

Mevlan ADILI: FC Shkupi është ekipi im i zemrës time  pa marrë parasysh që nuk jam pjesë e ekipit, kështu e ka futbolli mirëpo të gjitha ndeshjet i shikoj dhe bëjë tifo.  Me Renovën kanë luajtur shumë mirë dhe me shumë mençuri dhe në fund i’a dolën ti mernin 3 pikët e plota, vërehet ndryshimi në lojë dhe në përgatitje fizike,  jo rastësisht pjesën e dytë luajtën në 16 metërshin e Renovës dhe shpresoj që do vazhdojnë me fiore dhe të sigurojnë nga mbijetesa, në këtë ndeshje jam gëzuar dy herë njëherë sepse fitoi Shkupi dhe një herë sepse shënoi (vllau im i vogli) Besar Iseni….(e shkruan duke qeshur….hehehehh)”

InOSport.mk: Pikërisht shpirti juaj luftarak ju ka dalluar nga të tjerët, kur është në pyetje fusha e futbollit. Do e shohim atë shpirt luftarak të Mevlanit edhe në futbollin rumun dhe çfarë ju premton tifozëve të skuadrës së UTA Arad?

Mevlan ADILI: Kudo që të shkon Mevlani mbetet i njëjti, jam i lindur për tu bërë kampion  dhe  nuk dëshirojë të humbas. Normalisht që do të luftoj deri në atomin e fundit që ti ndihmojë ekipit dhe bashkëlojtarëve të mi. E dimë që na presin shumë sfida të rënda, shpresoj që në fund t’ia dalim dhe të sigurojmë ligën e parë dhe ti gëzojme tifozët dhe gjithë futbolldashësit këtu në Arad.

InOSport.mk: Ekipi juaj lufton për inkuadrim në elitën e futbollit rumun, aktualisht ndodheni në pozitën e dytë…sa janë gjasat që juve në fund të realizoni ëndërrën e tifozëve të juaj që vitin tjetër të luani në mesin e më të mirëve?

Mevlan ADILI: Gjasat janë shumë të mëdhaja për të realizuar endërrën e çdo tifozi,  kemi një ekip shumë të mirë,  jemi në pozitën e dytë, shpresoj deri në fund të mbetemi në këtë vend, i cili do të na dërgojë në ligen e parë.

InOSport.mk: Na fol pak për debutimin e juaj, kundër cilës skuadër debutuat, si ishin ndjenjat atë ditë dhe çfarë mund të presim nga Mevlani te skuadra e re?

Mevlan ADILI: Në çdo moment e prisja që të debutoja dhe pikërisht ndodhi në momentin dhe në kohën e duhur kundër një skuadre të fortë si Mioveni  dhe gjithçka shkoi mirë në lojë fituam 2:0 dhe shpresoj që në ndeshjet e ardhshme do të luaj si startues. Çdo fillim është i rëndë  shpresoj që do të bëjë më të mirën prej vetes dhe çka na pret në të ardhmen,  ja lëmë kohës të tregoj”.

Leave a Reply