Adem: Në prilep të dëshmojmë se jemi klub për respekt

Skuadra e Shkupit pas fitores së madhe ndaj Renovës, të shtunën në transfertë në kuadër të javës së 23-të do të përballet me Pobedën nga Prilepi.

Të gjithë futbollistët e FC Shkupit janë të motivuar për këtë ndeshje shumë të rëndësishme, me shpresë se do të vazhdojnë serinë prej 3 ndeshjeve pa disfatë.

Ermedin Adem thotë se Shkupi nuk ka se çfarë të humbasë në këtë ndeshje dhe se në secilin moment ata do të tentojnë për të shfrytëzuar gabimin e kundërshtarit dhe njëkohësisht të luajnë lojën e tyre tashmë të njohur me një mbrojtje të fuqishme, që do vinte në vështirësi të mëdha futbollistët e Pobedës për të gjetur golin.

“Mendoj se nuk kemi çka të humbasim në këtë ndeshje, ne do të shkojmë për të luajtur lojën tonë, me të cilën edhe kemi shënuar suksese në këtë sezon. Do të tentojmë që në secilin moment të ndëshkojmë çdo gabim të kundërshtarit, por në të njëjtën kohë duke u përkushtuar edhe në mbrojtje. Mendoj që ekipi vërtet është në një formë të mirë, por ndoshta në këtë ndeshje dobësia më e madhe do të jetë që luajmë në një fushë jashtë standardeve dhe shpresojmë të mos ketë asnjë problem. Kemi punuar në maksimum edhe për këtë duel dhe tani na mbetet që vetëm se të dalim në fushë për të treguar se Shkupi është ekip që duhet respektuar”, ka thënë Adem.

Edhe për këtë ndeshje trajneri i Shkupit, Ardian Nuhiu nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e sulmuesit Emmanuel Mbella si dhe mesfushorit, Filip Janevski. Ndeshja Pobeda – Shkupi luhet të shtunën në stadiumin e ARS-s në Mogilla të Prilepit, me fillim në orën 14:00.

Leave a Reply