Ndeshje futbollistike pa dhunë, sfidë për institucionet e vendit dhe të shoqërisë

Zvogëlimi i gjuhës së urrejtjes në ndeshjet futbollistike, ato të basketbollit, hendbollit, futsalit dhe gjitha sportet tjera në vendin tonë. Si mund të arrihet një gjë e tillë. Çfarë masash duhet ndërmarrë institucionet, apo edhe organizatat jo qeveritare, për të vetëdijësuar qytetarët dhe gjithë ato tifozë që ndjekin nga afër eventet sportive.

Në parandalimin e kësaj dukurie negative medoemos duhen angazhuar të gjithë së bashku, thonë nga Organizata Joqeveritare “Vlerat e Përbashkëta”, projekti i së cilës “Unë jam tifoz, jo dhunues” ka treguar se me grupet e tifozërisë duhet punuar në vazhdimësi për t’i vetëdijesuar ata para se të ushtrojnë dhunë dhe të shkaktojnë incidente.

“Realizuam trajnime me grupet e tifozëve “Shvercerët” dhe “Ballistët”, ndërsa me “Komitët” nuk arritëm të organizojmë trajnim. Takimi i parë me ta ishte informimi i tyre për Ligjin për parandalimin e gjuhës së urrejtjes në fushat e futbollit dhe jo çdokush e dinte ligjin, ndërsa ata që e dinin nuk ishin në dijeni të plotë se cilat janë dënimet në bazë individuale dhe në bazë të klubit”,– deklaroi Razije Jonuzi nga OJQ “Vlera të përbashkëta”.

Projekti “Unë jam tifoz, jo dhunues” është një ndër 11 projektet e mbështetura nga Fondacionin “Metamorfozis”, që kanë të bëjnë me rritjen e përgjegjësive nëpërmjet angazhimit qytetar.

“Fondacioni “Metamorfozis” dha mbështetje për gjithsej 11 projekte që kanë të bëjnë me krijimin e përgjegjësive nëpërmjet angazhimit qytetar. Disa prej tyre kanë të bëjnë me atë se si të sigurohet mbështetje më e madhe e OJQ-ve nga institucionet, si të përmirësohen marrëdhëniet ndëretnike dhe mënyra e funksionimit të institucioneve”, theksoi Filip Stojanovski nga Fondacioni “Metamorfozis”.

Të gjitha këto projekte që kanë të bëjnë me vetëdijësimin e qytetarëve, e në veçati grupeve të tifozëve janë realizuar në pesë muajit e fundit.

Rikujtojmë për shkak mos sigurisë, shumica e ndeshjeve derbi në futbollin vendor gjatë këtij edicioni janë zhvlluar pa praninë e tifozëve mysafir. Shpresojmë se së shpejti të gjindet një zgjidhje rreth kësaj çështje, pasi në fund të fundit futbolli dhe gjitha sportet kolektive, apo edhe në raste ato individuale luhen për publikun, që fatkeqësisht në vendin tonë është në rënie e sipër, kur janë në pyetje eventet sportive.

Leave a Reply