ZYRTARE, finalja e Kupës, Shkëndija – Pelisteri në Strumicë (VIDEO)

Edhe zyrtarisht Federata e Futbollit të Maqedonisë ka vendosur që finalja e Kupës së Maqedonisë e këtij edicioni të zhvillohet në stadiumin “Mladost” në Strumicë.

Një gjë të tillë portali ynë kishte njoftuar që para dy ditëve, ndërsa sot konfirmimi erdhi edhe nga shtëpia e futbollit në vendin tonë. E gjithë kjo po ndodh për shkak se stadiumi në kryeqendrën tonë “Telekom Arena” do të nis që tani përgatitjet për mikpritjen e finales së Super Kupës së Europës, që në program është me datë 08 gusht. Kjo nuk është hera e parë që Strumica do të jetë nikoqir i një ndeshje finale të Kupës, pasi një gjë e tillë kishte ndodhur edhe në vitin 2002, kur Pobeda kishte mundur Cementarnicën me rezultatin 3:1.

Në finalen e madhe të edicionit  2016/2017 do të përballen Shkëndija dhe Pelisteri.  Do të jetë kjo hera e parë që këto dy skuadra do takohen në një ndeshje kaq të rëndësishme mes tyre.

Shkëndija dëshiron të mbrojë trofeun e vitit të kaluar, ndërsa në anën tjetër Pelisteri kërkon të gëzojë gjithë qytetarët e Manastirit me një trofe të ri, që ju mungon plotë 16 viteve.

Pelisteri për herë të fundit në një finale të Kupës së Maqedonisë kishte luajtur në vitin 2001, kur edhe kishte triumfuar në të, duke mundur me rezultatin minimal 1:0 ish ekipin e Slloga Jugomagnatit, tashmë Shkupin.

Në anën tjetër për Shkëndijën do të jetë kjo finalja e tretë, në të cilën do të kërkojë edhe triumfin e dytë, pas atij vitin e kaluar kur kishte mundur Rabotniçkin me rezultatin 2:0.

Finalja e madhe në program është me datë 17 maj me fillim në ora 17:30.

Leave a Reply