Dortmundi rrëmbeu Kupën para ndarjes me figura të rëndësishme (VIDEO)

Pas tre disfatave të njëpasnjëshme në ndeshje finale, Borusia e Dortmundit, më në fund i’a ka arritur qëllimit që të dalë fitues, duke rrëmbyer trofeun e Kupës së Gjermanisë për sezonin 2016/2017, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra e trajnerit Tomas Tuhel në finalen e madhe të zhvilluar në stadiumin Olimpik të Berlinit, mundi Ajntrahtin e Frankfurtit me rezultatin 2:1.

Usman Dembele shënoi golin e parë për “milionerët”, edhe atë vetëm pas 8 minutave lojë, mirëpo në minutën e 29-të Ajntrahti u kundërpërgjigj duke shënuar golin e barazimit me anë të Ante Rebiç.

Golin e fitores për skuadrën nga “Sinjal Iduna Park” e realizoi Pjer Emerik Aubamejang  nga pika e bardhë në minutën e 67-të.

Sulmuesi gabonez ishte i pafat sonte, pasi gjatë ndeshjes finale ai në dy raste qëlloi shtyllën, ndërsa një gjë të tillë në anën tjetër bëri edhe Haris Seferoviç.

Me këtë fitore të Dortmundit në finale ka përfituar Frajburgu i Amir Abrashit, që si e 7-ta në tabelën e klasifikimit në Bundesligë do të luaj në Liga Evropa.

Kjo ndeshje e sontshme me shumë gjasa në taborin e Dortmundit mund të jetë edhe si e fundit për disa figura shumë të rëndësishme, përfshirë këtu edhe trajnerin Tuhel.  Ky i fundit pritet që shumë shpejt ti thotë lamtumirë skuadrës “milionere”, ndërkohë të njëjtën gjë pritet ta bëjnë edhe Aubamejang dhe Sokratis.

Për Dortmundin ishte kjo hera e katërt që fiton Kupën e Gjermanisë, trofeu i dytë ky për nga rëndësia në Gjermani, pas atij të titullit kampion.

Leave a Reply