Bomba e Skënderbeut quhet Besart Ibraimi

Skuadra 6 herë kampione e Shqipërisë, Skënderbeu, edicionin që sa po u mbyll në Superligën shqiptare e mbylli pa asnjë trofe. Korçarët mbyllën garën në pozitën e tretë, ndërsa gjithashtu humbën në finalen e Kupës së Shqipërisë nga Tirana.

E gjithë kjo ka alarmuar drejtuesit e ish kampionëve të Shqipërisë që janë duke menduar përforcimin e skuadrës.

Ata kërkojnë një sulmues cilësor, dhe ai është Besart Ibraimi i Shkëndijës, që shihet si zëvendësim adekuat për Hamdi Salihin.

Ky i fundit besohet se këtë vit zhvilloi edhe sezonin e tij të fundit me fanellën e Skënderbeut, ndërsa duke pasur parasysh se ka qenë futbollisti më i paguar i Skënderbeut, largimi i tij u jep mundësinë drejtuesve korçarë të shpenzojnë për një tjetër sulmues kalibri si Ibraimi.

Bomberi kërçovar ka një kontratë me Shkëndijën deri verën e vitit 2019-të, ashtu që për shërbimet e tij, Skënderbeu do të duhet të paguaj një shumë të majme, kjo edhe për faktin se Shkëndija vështirë që do e lënë të lirë sulmuesin e saj më të mirë, i cili në dy edicionet e fundit në elitën e futbollit në Maqedoni shpallet si golashënues më i mirë.

Ibraimi sezonin e fundit në 30 ndeshje kampionale me Shkëndijën regjistroi 20 gola dhe 10 asistime, derisa në sezonin paraprak 2015/2016 ai shkoi deri në shifrën e 26 golave.

Ibraimi ka një CV të pasur pas vetes, duke pasur parasysh se për një kohë të gjatë ka luajtur edhe në futbollin europian, përfshirë këtu skuadra si Shallke, Tavria, Enozis, Metalurg Zaporozhje, Ermis dhe Sevastopol.

Leave a Reply