E konfirmon vetë De Biasi: Largohem në fund të eleminatoreve

Në konferencën për shtyp pas rikthimit në Shqipëri dhe fitores ndaj Izraelit në Haifa, trajneri italian i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biasi konfirmoi largimin nga drejtimi i “kuqezinjëve” në fund të eleminatorëve.

Deklarata “bombë”, por jo e papritur u bë mesditën e sotme, ku trajneri i Kombëtares bëri edhe bilancin e tij në krye të “kuqezinjëve”.

Deri në përfundim të eliminatoreve ka ende disa ndeshje për të luajtur, por De Biasi do të mbahet mend si trajneri më i suksesshëm në krye të Shqipërisë, si një ndër protagonistët e kualifikimit historik të Kombëtares shqiptare në një event madhor, siç ishte Evropiani i qershorit të vitit të kaluar në Francë.

Periudha më e errët e De Biasit në krye të “kuqezinjëve” ishte në pesë ndeshjet zyrtare dhe miqësore para përballjes me Izraelin, që të pesta të humbura.

Këto humbje, sidomos ajo ndaj Luksemburgut 2:1, shtuan zërat për largimin e tij nga ana e mediave dhe analistëve sportiv në Shqipëri, ndërsa gjithë këto zëra strategu italian i komentoi në këtë mënyrë: “Më vjen keq që pas ndeshjes me Izraelin shumë do të donin të bënin gati funeralin tim”.

Leave a Reply