Qatip Osmani: Ka edhe 90 minuta tjera, të fitojmë, e pastaj festojmë

Trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani, është shprehur i kënaqur me fitoren e arriur të skuadrës së tij në ndeshjen e turit të parë eliminatorë të Liga Evropa ndaj Daçias, mirëpo duke potencuar njëkohësisht se festa mund të vjen vetëm edhe pas zhvillimit të 90-të minutave të dyta në Moldavi, atëherë kur edhe përfundimisht do të mësohet emri i udhëtuesit për në raundin e dytë.

Shkëndija mundi skuadrën moldave me rezultatin 3:0, duke lehtësuar edhe më shumë rrugëtimin e saj për në fazën tjetër, për më tepër për faktin se “kuqezinjtë” përveç golave të shënuar krijuan edhe shumë raste si dhe kishin dominimin e plotë në fushë.

“Luajtëm ashtu edhe siç dëshiruam para fillimit të ndeshjes. Shënuam dy gola të shpejtë dhe më pas normal që e kishim më të lehtë. Mund të regjistronim ndoshta një fitore edhe më të thellë, mirëpo gjithsesi se jemi të kënaqur edhe me këtë rezultat. Dua të theksoj se nuk duhet të ketë lëshime nga ana jonë. Puna ende nuk është kryer, pasi ka edhe 90 minuta të tjera lojë. Daçia me siguri se nuk do të jetë skuadra e njëjtë sikur sot edhe në ndeshjen e kthimit, ashtu që neve na mbetet të jemi të jemi maksimalisht të koncentruar, për të arritur qëllimin tonë, kualifikimin për në turin e dytë eliminatorë” – tha strategu tetovar pas përfundimit të ndeshjes në Strumicë.

Për Shkëndijën ishte kjo fitorja më e thellë e arritur në ndeshjet evropiane, ku shpresojmë se edhe këtë vit të ketë një aventurë të suksesshme në garat e Liga Evropa.

Leave a Reply