Maqedoni-Shqipëri, në Strumicë vetëm 450 bileta për tifozët shqiptarë

Drejtori administrativ i Federatës Shqiptare të Futbollit, Denis Bastari në një deklaratë për “Top Channel” ka folur në lidhje me vendimin e UEFA-s që ndeshja eliminatore e grupit “G” midis Maqedonisë dhe Shqipërisë e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018” të luhet në Strumicë si dhe për mundësinë që në këtë ndeshje kombëtaren shqiptare ta përkrahin tifozët “kuq e zi”.

Ai tha se pavarësisht që stadiumi “Mladost” nuk i plotëson kushtet, UEFA ka ardhur me vendim që ndeshja në fjalë të zhvillohet në këtë stadium, për shkak rrezikshmërisë së lartë që ka, që kjo ndeshje të zhvillohet në Shkup.

“Kemi marrë një përgjigje nga zv.sekretari i Përgjithshëm i UEFA-s, i cili na tha se ndeshja do të luhet në Strumicë, pavarësisht se ai stadium nuk i plotëson kushtet minimale sportive. Por në një ndeshje si kjo, me nivel rrezikshmërie të lartë, më shumë rëndësi ka siguria. Ne kemi bërë kërkesa, por në fund të fundit është vetë UEFA që vendos për të tilla çështje” – është shprehur Bastari, i cili ka folur gjithashtu edhe rreth pranisë së tifozëve shqiptarë në Strumicë.

Ai ka konfirmuar se tifozët shqiptarë do të lejohen atje sipas rregullores dhe se do të kenë në dispozicion 450 bileta.

“Bashkë me konfirmimin e fundit për zhvillimin e ndeshjes, na është konfirmuar nga UEFA se do të lejohen tifozët shqiptarë që të marrin pjesë në këtë ndeshje. Pra do të na lejohet 5%, që është parashikuar në rregullore, që përkon me rreth 450 tifozë në raport me kapacitetin që ka ai stadium” – përfundoi Denis Bastari.

Leave a Reply