Emini dhe Lena shkëlqejnë me Kukësin, por mbeten jashtë Championsit (VIDEO)

Izair Emini dhe Nijas Lena kanë qenë ndër protagonistët kryesor në fitoren e Kukësit ndaj Sherif Tiraspol, ndeshje kjo e turit të dytë eliminatorë të Ligës së Kampionëve Evropian.

Kukësi shënoi fitore me rezultatin 2:1, por si pasojë e disfatës 1:0 në ndeshjen e parë në Moldavi, skuadra kuksiane duhet të përshëndetet me garat e mëtutjeshme në kompeticionin më të rëndësishëm evropian.

Ky eliminim është i padrejtë, duke pasur parasysh se si rrodhën gjërat në “Elbasan Arena”, ku vërtetë Kukësi ishte i pafat, sidomos pas lojës që shfaqën në fushën e blertë të përzgjedhurit e trajnerit Ernest Gjoka.

Ata krijuan një mori rastesh, tre hërë qëlluan shtyllën, ndërsa në minutën e 81-të Pero Pejiç, humbi penalti, të cilën do e vuajnë një kohë të gjatë verilindorët, të cilët pa meritë duhet të përshëndeten me garat ndërkombëtare.

Ndryshe sa u përket golave, ishte pikërisht Izair Emini, ai i cili në minutën e 35-të kaloi në epërsi Kukësin pas një “dabëll-pasi” me shokun e tij të sulmit Pero Pejiç.

Emini ishte i përkryer në aksionin e golit të parë, ndërsa i tillë ishte edhe gjatë shënimit të golit të dytë, kur mjaft mirë gjeti të vetmuar fare pranë portës kroatin Pejiç, i cili nuk e kishte të vështirë për të shënuar edhe golin e dytë në rrejtën e mysafirëe nga Moldavia.

Pas një harkimi të Sushiç në minutën e 56-të, Bajala realizoi golin e vetëm për Sherif Tiraspol, që në fund vendosi edhe fatin e udhëtuesit për në fazën tjetër me moldavët, të cilët në kuadër të turit të tretë eliminatorë do të luaj me Karabagun e Aansi Agollit.

Leave a Reply