Godet Vllaznia e Pozheranit, transferon futbollistin e Kombëtares shqiptare

Skuadra e Vllaznisë së Pozheranit ka bërë një goditje të bujshme, duke transferuar në rradhët e saja Arbër Bashën, një futbollist mjaft të talentuar, që bënë pjesë në xhiron e futbollistëve te Kombëtares U-21 te Shqipërisë.

Arbër Basha është vetëm 19 vjeç, që ka dalë nga ekipet zinxhir të “Akademisë së Futbollit” në Tiranë, e drejtuar nga Alban Bushi.

Bëhet fjalë për një mesfushor shkatërrues i cili gjendet mirë edhe në sulm, ndërsa kalimi në futbollin kosovar për të do të jetë eksperienca e parë si futbollist profesionist.

Ai gjatë karrierës së tij ka luajtur me ekipet U19 të Borusia Menhengladbahut dhe Klub Bryzh, ndërsa gjithashtu ka qenë pjesë edhe e skuadrës së të rinjëve të Kamzës.

Këta të fundit që këtë vit siguruan një vend për në Superiore i kishin ofruar kontratë profesioniste, njëjtë sikurse edhe Teuta, mirëpo falë angazhimit të menaxherit kryesor të Vllaznisë së Pozheranit, Faruk Pogragja, Basha vendosi që të pranojë ofertën e skuadrës kosovare, që vërtetë ka qenë mjaft aktive në këtë merkatoje vere.

Skuadra nga Pozherani që për herë të parë do të luaj në mesin e skuadrave më të mira në Kosovë, deri më tash ka angazhuar futbollistët si, Erdin Hashani, Almedin Murati, Alban Tusuni, Alban Shillova, Fuat Karabeg dhe trajnerin Bekim Isufi.

 

Leave a Reply