Arrihet marrëveshja, Xhoshua-Kliçko më 11 nëntor në Las Vegas

Eddie Hearn, menaxheri dhe promotori kryesor i kampionit të botës në peshat e rënda Entoni Xhoshu ka njoftuar se revanshi mes boksierit britanik dhe rivalit ukrainas Vladimir Kliçko mund të zhvillohet më 11 nëntor, në Las Vegas.

Palët duket se kanë arritur marrëveshjen për t’u përballur sërish në ring pas duelit të 29 prillit, kur Xhoshua fitoi në Londër ndaj ukrainasit Kliçko me “KO” teknik në raundin e 11-të, në një nga sfidat më të bukura të historisë së boksit.

Kliçko kishte në kontratë të drejtën e revanshit, por nuk donte që sfida të zhvillohet sërish në Britaninë e Madhe.

Hearn ka thënë se me të në udhëtimin e zhvilluar në Amerikë ka qenë edhe Xhoshua, që ka firmosur dokumentet e nevojshme për të zhvilluar këtë duel në Las Vegas, ku deri më tash nuk ka luftuar asnjëherë në karrierën e tij.

“Kemi bërë disa takime për të saktësuar vendin ku do ta zhvillojmë sfidën këtu në Las Vegas. 11 nëntori është data ku kemi rënë dakord, por do të na duhen edhe 2-3 javë që të saktësojmë të gjitha detajet. Të gjithë ne mendojmë se Las Vegasi është vendi i përkryer për ta zhvilluar këtë sfidë të dytë. Le të kryqëzojmë gishtat që 11 nëntori të konfirmohet”, tha Hearn.

Leave a Reply