Pollozhani: Shkëndija ka kualitet për të kaluar Trakain

Shkëndija e Tetovës të enjten në stadiumin “Mladost” në Strumicë do të zhvillojë ndeshjen e kthimit në kuadër të turit të tretë eliminatorë të Liga Evropa.

“Kuqezinjtë” nga Tetova kërkojnë me ngulm ta kalojnë edhe turin e tretë në kuadër të Liga  Evropa, por sigurisht që nuk do ta kenë të lehtë, pasi në ndeshjen e parë në Lituani janë mundur me rezultatin e ngushtë 2:1, ndërsa mbi të gjitha kanë humbur shërbimet e dy futbollistëve të formacionit të parë, Stenio Zhunior dhe Ardian Cuculi, që u ndëshkuan me kartonë të kuq.

Nëse kësaj dyshe ia shtojmë edhe mungesën e Stefan Vujçiç, atëherë Shkëndija do ta ketë shumë të vështirë. Një gjë të tillë e thotë edhe ish futbollisti i Shkëndijës, Artim Pollozhani, i cili në një prononcim për “sportekspres”, kishte thënë: “Shkëndija duhet patjetër ta marrë seriozisht Trakain. Besomëni që do jetë e vështirë. Ekipi ka kualitet për ta eliminuar kundërshtarin, kjo nuk diskutohet, por po përsëriten të njëjtat gabime si vjet. Nuk garohet në Europë me 12 futbollistë, pa dashur t’i nënvlerësoj lojtarët e rinj, por ata s’kanë atë përvojë për të bërë ndeshje të mëdha në Europë. Po të shikosh tani ekipin, mungojnë Cuculi, Zhunior dhe Vujçiç, mungesa me peshë. Do të zëvendësohen me tre lojtarë të tjerë, por problemi është qe ngelet stoli me të rinj. Këtë problem ka Shkëndija, por uroj ta kalojnë Trakain, pse jo të futet edhe në grupe”, – përfundoi Pollozhani, i cili u largua nga Shkëndija këtë verë për të veshur fanellën e Flamurtarit të Vlorës.

Leave a Reply