Futsal Shkupi mbrojtjen e titullit e nis ndaj Kratovës

Skuadra kampione në fuqi e Maqedonisë në futsal, Shkupi, sezonin e ri do ta startojë me ndeshjen ndaj Kratovës si vendas, njofton “infOSport.mk”.

Pas paraqitjes së denjtë në ndeshjet paraeliminatore të Ligës së Kampionëve Evropiane në Linz të Autsrisë, tashmë “bardhekaltërit” nga Çairi të gjithë vëmendjen e kanë të përqëndruar në kampionatin vendor, me pretendime për mbrojtjen e titullit të fituar vitin e kaluar.

“Jemi kampion dhe si të tillë do të zbresim në parket edhe sot përballë Kratovës. Ata janë një skuadër që këtë vit për herë të parë do të luajnë në elitën e futsalit vendor, mirëpo për ne nuk janë të panjohur, pasi tre vite më parë pikërisht me këtë skuadër luftonim për një vend në Ligën e Parë të Futsalit. Shpresojmë sërish të dalim fitues, sikur dolëm atëherë, për më tepër që luajmë si vendas. Një fitore nga kjo ndeshje do na lehtësonte rrugëtimin tonë të gjatë që kemi para nesh, ku shpresojmë sërish të luftojmë për titull dhe pse jo të ruajmë atë edhe në përfundim të sezonit” – tha kapiteni i skuadrës së Futsal  Shkupit, Arsim Fazlija.

Ndeshja Futsal Shkupi – Kratova starton në ora 16:30 dhe  e njëjta do të zhvillohet në palestrën e SH.M.SH Zef “Lush Marku”.

Leave a Reply