A ka kush e ndalë këtë Skënderbe?

Skënderbeu vazhon të mos njeh rivalë në Superligën shqiptare. Skuadra korçare sot në ndeshjen e fundit të javës së 7-të mundi Teutën në transfertë me rezultatin 1:4, duke konfirmuar formën e mirë në të cilën ndodhet, edhe pse për momentin kjo skuadër po lufton në tre fronte.

Ndryshe pjesa e parë e takimit të zhvilluar në Durrës u mbyll me epërsinë e vendasve të Teutës, të cilët gjetën golin vetëm pas 8 minutave lojë me anë të Lati Amadu.

Kthesa totale ndodhi në pjesën e dytë, kur thjesht luante vetëm një skuadër, Skënderbeu, që gjeti barazimin në minutën e 50-të me anë të Afrim Takut.

Për epërsinë e parë të Skëndërbeut në këtë ndeshje u përkujdes Sebien Lilaj me golin e realizuar në minutën e 66-të,  kur doli të jetë i saktë nga pika e bardhë, ndërsa dy golat e fundit të shënuar nga ana e skuadrës korçare  mbajnë firmën e Soue (73’) dhe Gjergji Muzaka (78’), i cili shënoi sërish nga pika e bardhë.

Me këtë fitore korçarët kryesojnë kampionatin me 19 pikë, tre më shumë se Kukësi i vendit të dytë që në kuadër të kësaj jave mundi Luftëtarin si mysafir me rezultatin 3:0.

Leave a Reply