“Janevski dorëzohet”, 8 pikë diferencë janë shumë

Trajneri i Vardarit në një prononcim për faqen zyrtare të klubit ka komentuar sezonin vjeshtor dhe gjitha ndeshjet në të cilat morri pjesë skuadra e tij, prej kur se ai është në krye të skuadrës kampione të Maqedonisë.

Dëshira e tij do të ishte që të kishte një fitore më shumë dhe një disfatë më pak, pasi 8 pikët diferencë të Shkëndijës janë shumë dhe vështirë të arrihen. Megjithatë sipas tij në lojë janë edhe 54 pikë, ashtu që Vardari do të tentojë deri në fund.

“Prej kur se unë erdha si trajner i Vardarit, vlerësoj se ky do të ishte një gjysëmsezon perfekt për mua në rast se do kishim një fitore më shumë në kampionat dhe një disfatë më pak dhe të ishim vetëm 5 pikë larg pozitës së parë. Tani ngecim 8 pikë, është ky një dallim i madh, mirëpo ka edhe 54 pikë për tu fituar në pjesën e dytë të kampionatit. Nëse do kishim një fitore plus do të isha shumë i kënaqur, mirëpo edhe kështu jam i kënaqur pasi nuk ishte e lehtë të luhej në tre fronte, edhe atë për herë të parë një klub nga Maqedonia hasi në një sfidë të tillë. Patjetër duhet të jemi të kënaqur dhe të mendojmë për pjesën e dytë të sezonit, të përgatitemi mirë dhe të synojmë në sukses edhe në kampionat edhe në Kupë” – kishte thënë Janevski në prononcimin e tij.

Vardari stinorin vjeshtor e mbylli në pozitën e dytë me 38 pikë, 8 më pak se Shkëndija e vendit të parë, me të cilën skuadër përveç se do të luftojë deri në fund për titullin e kampionit, gjithashtu do të përballet edhe në dy ndeshjet çerekfinale të Kupës së Maqedonisë.

Ndryshe ky vit që po lëmë pas për Vardarin ishte viti më i suksesshëm në historikun e tyre, pasi për herë të parë luajtën në ndeshjet në grupe të Liga Evropa, ku në fund në konkurrencë të skuadrave si Zeniti, Real Sociedadi dhe Rosenborgu, morrën vetëm një pikë, edhe atë në ndeshjen e fundit kundër skuadrës norvegjeze të zhvilluar në Shkup.

Leave a Reply