Akademia Pandev startoi përgatitjet për pjesën e dytë të kampionatit

Futbollistët e Akademia Pandev sot në mesditë edhe zyrtarisht nisën përgatitjet për stinorin pranveror në elitën e futbollit vendor.

Trajneri Pançe Stojanov kishte në rreshtim të gjithë futbollistët, të cilët zhvilluan një stërvitje më të lehtë, si paralajmërim për atë që i pret ata në 40 ditët në vazhdim, deri në startin e stinorit pranveror, kur me 14 shkurt do të zhvillojnë ndeshjen e parë kundër Shkupit në Çair.

Pjesë e grumbullimit të parë ishte edhe futbollisti i vetëm i angazhuar nga kjo skuadër, Tomislav Iliev, i cili erdhi nga rradhët e Rabotniçkit.

Sipas plan programit të përgatitjeve, Akademia Pandev deri me 19 janar do të stërvitet në bazën e saj stërvitore në Strumicë, teksa pjesën kryesore të stërvitjeve kjo skuadër do ta zhvillojë në Antalia të Turqisë.

Drejt këtij destinacioni ekspedita e Akademia Pandev do të udhëtojë me datë 20 janar, ndërsa do të qëndrojë deri më 04 shkurt. Atje drejtuesit e kësaj skuadre kanë paraparë të zhvillojnë gjithsej 7 ndeshje, ku 5 prej tyre veçmë i kanë përcaktuar emrat e kundërshtarëve.

Akademia Pandev në Antalia do të përballet me Mladost Luçani nga Serbia, Enisej nga Rusia, Sumkajit nga Azerbajxhani, Niregjihaza nga Hungaria, si dhe me skuadrën kosovare të Prishtinës. Ndërkohë emrat e dy kundërshtarëve tjerë do të përcaktohen në mënyrë shtesë.

Leave a Reply