Çmendet Reali, 570 mln euro për treshen De Gea-Hazard-Kejn

Reali i Madridit nuk është në nivelin e sezonit të kaluar dhe Liga e Kampionëve duket se është kompeticioni që do të mund të shpëtojë klubin “madrilen” nga turpërime të tjera, ndërkohë që ka filluar të mendohet për vitin e ardhshëm.

Sipas mediave britanike, në shënjestrën e “mbretërve” janë vënë 3 futbollistë të Premierligës, si David De Gea i Mançester Junajtedit, Eden Hazard i Çelzit dhe Hari Kejn i Totenhamit.

Sipas tabloidit “Daily Mail”, Reali i Madridit ka vendosur të bëjë çmenduri dhe të investojë 570 milionë euro për këta tre emra të lartëpërmendur.

Gjithnjë sipas këtij tabloidi, kampionët e Spanjës do të paguajnë në total 460 milionë euro për mesfushorin e Çelzit dhe sulmuesin e Tottenhamit, ndërsa për portierin spanjoll kanë rezervuar shifrën e 110 milionë eurove.

Por, Reali i Madridit nuk do ta ketë të lehtë në bisedimet me klubet respektive të këtyre futbollistëve, pavarësisht shifrës marramendëse që ka përgatitur. Në rastin e Kejn, klubi “madrilen” do të duhet të negociojë me presidentin Daniel Levi, një detyrë kjo jashtë mase e vështirë.

Për Hazard, tratativat janë më të lehta në dukje, por në javët e fundit belgu ka shfaqur më shumë dëshirë për të rinovuar me Çelzin. Ndërsa për De Gean, Mançester Junajtedi nuk ka ndërmend të privohet prej tij dhe tashmë i ka propozuar rinovimin e kontratës, duke i bërë një ofertë të majme.

Për më tepër, trajneri Murinjo dëshiron që spanjolli të qëndrojë përjetësisht te “djajtë e kuq”.

Historitë nuk mbyllen këtu për Realin e Madridit, i cili ka vënë në shënjestrën e tij edhe trajnerin Maurisio Poçetino. Por edhe në këtë rast, spanjollët duket se do ta kenë jashtë mase të vështirë për të arritur tek ai, pasi argjentinasi ka me Totenhamin një kontratë deri në vitin 2021, ndërkohë që raportet mes tij e Daniel Levit janë të shkëlqyera, me këtë të fundit që është shprehur se dëshiron që Poçettino të qëndrojë në stolin e “spërsave” për 10-15 vite.

Leave a Reply