Konte: Nuk e kam menduar dorëheqjen asnjëherë

Pas dy disfatave të turpshme ndaj Burnmaut (0:3) dhe Uatfordit (1:4), kampionët në fuqi të Anglisë shpresojnë që në ndeshjen e së hënës kundër Uest Bromuiç Albionit do të rikthehen te fitorja dhe te gara për të përmbyllur sezonin aktual në mesin e skuadrave që do të sigurojnë një vend për në Ligën e Kampionëve Europian.

Rezultatet e fundit bënë që trajneri Antonio Konte prej javësh të jetë në qendër të kritikave, madje presupozohet se nëse dështon në takimet e radhës, lamtumira e tij është e sigurt.

Megjithatë në një prononcim të fundit rreth të ardhmes së tij, strategu italian ka thënë se nuk e ka menduar asnjëherë dorëheqjen nga Çelzi.

“Nuk e kam menduar qoftë për një moment dorëheqjen. Ndoshta kam gabuar me formacionin, por kur rezultatet qenkan kaq shumë të këqija përgjegjësia duhet të ndahet mes trajnerit, futbollistëve dhe shoqërisë. Impenjimi im dhe i futbollistëve është maksimal. Duhet të marrim fitoren ndaj Uest Bromuiçit. Nuk do të jetë e lehtë, sepse morali nuk është shumë i lartë, por duhet të kemi besim në punën dhe lojën tonë.” – tha Konte.

Pronari rus Roman Abramoviç, nuk ka ndërmend t’i futet një tjetër aventure duke zëvendësuar trajnerin në mes të sezonit, edhe pse e ardhmja e Kontes varet nga vazhdimësia e rezultateve, sidomos në Ligën e Kampionëve, ku skuadrën londineze e pret një përballje e vështirë ndaj Barcelonës.

Çelzi aktualisht ndodhet në pozitën e katërt me 50 pikë, një më pak se Liverpulli në pozitën e tretë, dhe shumë larg kryesuesve të Mançester Sitit në pozitën e parë me 69 pikë.

Leave a Reply