Igli Tare: Një ditë dua të drejtoj Shqipërinë

Igli Tare njihet si një ndër drejtorët më të mirë sportiv në futbollin europian. Ish reprezentuesi shqiptarë këtë detyrë po e ushtron me mjaft sukses në krye të Lacios, ndërsa më së miri flet edhe çmimi i dhënë nga Federata Italiane e Futbollit për vitin që lamë pas, si drejtori më i mirë sportiv në Itali.

Tare ka merita të padiskutueshme në projektin sportiv dhe atë financiar të skuadrës nga kryeqendra italiane, mirëpo edhe pse i jashtëzakonshëm në rolin e drejtuesit, ish sulmuesi i Partizanit dhe i Kombëtares Shqiptare ende ka një ëndërr që e intrigon, atë për të drejtuar një ditë si trajner, por një skuadër të vetme, atë të zemrës, Kombëtaren shqiptare.

Ai një gjë të tillë ka zbuluar në një intervistë të gjatë ku flet për shumë tema për të përditëshmen më presitgjioze sportive në Itali, “Gazzetta Dello Sport”.

“Që kur isha lojtar kisha një dyshim, drejtues apo trajner. Rruga u bë menjëherë e qartë, por një njeri pa ëndrra është i vdekur, dhe unë ëndrrën time nuk e kam fshehur kurrë. Nëse një ditë bëhem trajner, do të drejtoj Shqipërinë, jo një klub.” – ka thënë Tare.

Një ëndërr vërtet interesante që josh jo vetëm Taren, por me shumë mundësi edhe shumë tifozë shqiptarë, edhe pse nuk bëhet fjalë për një të ardhme të afërt.

Tare që po shijon suksesin si Drejtor Sportiv te Lacio, edhe pse pranon se ka patur oferta për të  bërë Drejtorin Sportiv në klube të tjera, për momentin është i përkushtuar maksimalisht te skuadra “laciale”, pjesë e së cilës është për plotë 13 vite, edhe si futbollist por edhe si drejtues, dhe që pa dyshim është shtëpia e dytë për të, pas Shqipërisë.

Leave a Reply