Bombë nga Peja, Besa transferon treshen kampione të futsalit nga Maqedonia

Besa e Pejës ka bërë një goditje të fuqishme në merkaton e dimrit në elitën e futsalit kosovar, duke angazhuar treshen kampione nga Maqedonia, Taulant Ismaili, Ferid Agushi dhe Dragan Petroviç, njofton “infOSport.mk”.

Që të tre gjatë ditës së sotme nënshkruajtën kontratat e tyre me skuadrën pejane, te e cila arritën nga skuadra kampione e dimrit, Feniksi.

Ata iu bashkuan skuadrës nga Drenasi gjatë fillimit të sezonit aktual, kur ishin transferuar si përforcime të mëdha nga skuadra e Velesit. Me këtë treshe në skuadër, Feniksi ishte superior gjatë gjysmës së parë të sezonit 2017/2018, duke u shpallur kampion i dimrit, ndërsa gjithashtu fituan edhe Kupën e Kosovës në futsal, duke mundur pikërisht Besën e Pejës me rezultatin e thellë 6:0.

Me këto lëvizje lufta për titull do të bëhet shumë më interesante, ku Feniksi gjysmësezonin e dytë do ta nis me 6 pikë epërsi ndaj Besës. Feniksi pas 9 xhirove të sezonit vjeshtor arriti po aq fitore, dhe me 27 pikë kryeson renditjen para Liburnit të Gjakovës që ka 22 pikë, teksa Besa e Pejës, që më herët kishte siguruar edhe shërbimet e kapitenit të Futsal Shkupit, Orhan Ibishit, me 21 pikë renditet në pozitën e tretë.

Leave a Reply