Shkupi dhe Pobeda, skuadrat me më shumë gola të pranuar në stinorin pranveror

Javën që lamë pas në elitën e futbollit vendor u zhvilluan ndeshjet e javës së 5-të në kuadër të stinorit pranveror, ku edhe Pobeda dhe FC Shkupi nuk arritën të marrin fitore, njofton “infOSport.mk”.

Dy ish kampionët e Maqedonisë barazuan në përballjet ndaj Akademia Pandev, gjegjësisht Sileksit, ndërsa e gjithë kjo bëri që drejtuesit e këtyre dy skuadrave të shkarkojnë trajnerët e tyre. Nga Pobeda u largua strategu malazez, Slavoljub Bubanja, teksa drejtuesit e FC Shkupit vendosën të ndahen me trajnerin e tyre të deritanishëm, Ardian Nuhiu.

Ky i fundit me FC Shkupin në 5 ndeshje, regjistroi një fitore, tre barazime dhe një disfatë, teksa Bubanja me Pobedën e tij regjistroi tre barazime dhe dy disfata.

Që të dyja këto skuadra në 5 ndeshjet e pjesës së dytë të kampionatit elitarë pranuan nga 10 gola, apo mesatarisht nga 2 gola për ndeshje, duke përbërë në këtë mënyrë mbrojtjet më të dobëta. Rikujtojmë që të dyja këto skuadra në ndeshjen e zhvilluar mes tyre në Manastir barazuan me rezultatin 3:3, transmeton “infOSport.mk”.

FC Shkupi përveç se ka mbrojtjen më të dobët bashkë me Pobedën, skuadra nga Çairi gjithashtu mund të lëvdërohet edhe me sulmin më të mirë, pasi bashkë me Shkëndijën kanë të shënuar nga 10 gola, teksa Pobeda rezulton të ketë një gol averazh negativ, pasi në 5 ndeshje kjo skuadër ka shënuar vetëm 4 gola.

Leave a Reply