Shkupi pret Skopjen në Tetovë?

FC Shkupi përballjen e parë si vendas me shumë gjasa do ta zhvillojë në Tetovë. Burime të “InfOSport.mk” thonë se dueli i xhiros së 24-t në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë ndërmjet FC Shkupit dhe Skopjes do të luhet të dielën në stadiumin e qytetit në Tetovë. Ekipi nga Çairi në fillim të gjysmësezonit pranveror detyrohet të luajë jashta stadiumit të vet shkaku i terrenit të papërshtatshëm për lojë, ndërsa në tre takimet e fundit si vendas i luajti në stadiumin “Boris Trajkovski” në lagjen Manxhari. Gjithsesi duke parë se edhe ky terren u rëndua nga të reshurat e vazhdueshme që kapluan vendin, mësohet se nga FC Shkupi kanë vendosur takimin e rradhës ta luajnë në Tetovë, ku fusha është ndoshta më e mira në Maqedoni.

Kjo do të jetë hera e parë që FC Shkupi si vendas do të luajë në Tetovë, që do të jetë një situatë e re në krahasim me të kaluarën kur Shkëndija disa herë përdori si vendase stadiumin në Çair në periudhën kur rinovohej stadiumi i qytetit në Tetovë. Gjithsesi pritet konfirmimi i këtij lajmi nga drejtuesit e FC Shkupit si dhe Komisioni për Gara pranë FFM-së, pasi të shtunën në të njejtin terren luhet Shkëndija-Sileksi./InfOSport.mk

Leave a Reply