Cuculi: Nuk ishim në formën tonë të mirë, shpresoj të jemi në ndeshjen e dytë

Barazimi 1:1 me Renovën në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Kupës së Maqedonisë sigurisht se nuk kënaqi apetitet e Shkëndijës, skuadër kjo që pretendonte të ketë rezultat sa më pozitiv para ndeshjes së kthimit më 11 prill.

“Kuqezinjtë” nuk e nisën mbarë ndeshjen, pasi vetëm pas 12 minutave lojë pranuan gol pas një gabimi në mbrojtje të Visar Musliut. Dhuratën e mbrojtësit të Shkëndijës në maksimum e shfrytëzoi i riu i Renovës, Stojanovski, ndërsa edhe pse Emini barazoi shumë herët, që në minutën e 25-të, Shkëndija megjithatë nuk arriti që të gjejë edhe golin e dytë, pasi ndeshja në fund u mbyll me barazimin 1:1.

Gjithsesi edhe ky rezultat Shkëndijën e mban brenda objektivave, ndërsa sipas mbrojtësit Ardian Cuculi në lojë janë edhe 90-të minuta në ndeshjen e kthimit më 11 prill ku do të kërkohet kualifikimi në finalen e Kupës.

“Normal nuk u futëm si duhet në ndeshje dhe pësuam një gol nga një pakujdesi e jona në mbrojtje. Vazhduam më tej rritmin tonë, arritëm të barazojmë por në fund nuk arritëm të përmbysim rezultatin dhe të fitojmë. Gjithsesi ky është rezultat pozitiv, jemi brenda objektivit. Thjesht mendojmë për ndeshjen e ardhshme, sepse kemi edhe një 90-të minutësh ku shpresoj se do të jemi në formën më të mirë, gjë që nuk ndodhi sot. Besojmë në kualifikim”, u shpreh Ardian Cuculi.​

Leave a Reply