Futsal Shkupi demolon Ciko-n, shënon edhe portieri Berisha

Futsal Shkupi ka demoluar ekipin e Ciko-s nga Stojakova në ndeshjen e parë të raundit të tretë të garave në elitën e futsalit vendor, ku edhe përfundimisht do të vendoset rreth titullit kampion, njofton “infOSport.mk”.

Ekipi nga Çairi sot në palestrën “Enver Idrizi” me rezultatin 13:4 demoluan Ciko-n, duke vazhduar garën për titullin e kampionit me Velesin.

Erkan Seferi dhe Ivan Sotirovski ishin dy figurat kryesore në takimin e sotshëm duke shënuar nga tre gola, ndërsa përveç tyre me lojë të mirë u dalluan edhe Nikolla Dimovski dhe i rikthyeri Rexhep Sulejmani, të cilët shënuan nga dy gola.

Ky i fundit rikthehet pas një dëmtimi të rëndë që e largoi atë nga palestrat për disa muaj. Ai ishte dëmtuar në fundin e sezonit të kaluar, ndërsa rikthimin e tij e kanë mirëpritur të gjithë, pasi me siguri se me të në skuadër, Futsal Shkupi është shumë më i fuqishëm dhe më konkurrues ndaj Velesit.

Ndryshe në listën e golashënuesve për ekipin “bardhekaltër” u regjistruan edhe Haris Fazliu, Bejtulla Jakupi si dhe portieri Shefki Berisha.

Me këtë fitore tashmë Futsal Shkupi numëron 45 pikë dhe rikthehet sërish në pozitën e parë, teksa Ciko mbetet në kuotën e 20 pikëve dhe aktualisht ndodhet në pozitën e 7-të.

Leave a Reply