Gjykata nuk e njeh presidentin e FSHF-së, mund të ketë sërish zgjedhje?

Gjykata e Tiranës nuk regjistron, pra nuk i çertifikon, zgjedhjet e bëra për drejtuesit e rinj të FSHF-së, në Asamblenë Zgjedhore të 7 shkurtit, ku u rikonfirmua për mandatin e pestë presidenti Armand Duka dhe pjesa dërrmuese e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv. Shkak për këtë janë bërë jo pak prej votuesve në këtë asamble, të cilët, sipas organit gjyqësor, janë të paligjshëm. Konfirmohet kësisoji pretendimi i kandidatit për president të FSHF-së, Bashkim Fino, se disa prej anëtarëve të asamblesë, me të drejtë vote, nuk janë të regjistruar në gjykatë, apo në QKB, sikurse e kërkon legjislacioni shqiptar përkatës. Për këtë fakt u bë edhe një kallëzim penal nga Flamurtari në Prokurori.

Paligjshmëria e Asamblesë Zgjedhore të muajit të kaluar është denoncuar nga Bashkim Fino, por edhe nga disa kandidatë për Komitetin Ekzekutiv, të cilët pretendojnë se kanë rezultuar fitues, por votimi është manipuluar, diçka e denoncuar kjo përmes pamjeve televizive. Njëkohësisht, Zoti Fino e ka dërguar këtë çështje edhe në CAS-in e Lozanës, prej nga pret një vendim përfundimtar. Nëse edhe kjo gjykatë sportive ndërkombëtare i konsideron të paligjshme zgjedhjet e fundit në FSHF, atëherë automatikisht do të kalohet në zgjedhje të reja. Thënë ndryshe, futbolli shqiptar futet në kaos, nisur edhe nga dënimi i rëndë i ditës së djeshme për Skënderbeun, me 10 vite pezullim nga Kupat e Europës dhe 1 milion lekë gjobë. Në fakt, një precedent i tillë ndodhi pak kohë më parë edhe në Kroaci, ku rizgjedhja e Davor Suker u konsiderua e paligjshme nga organizmat e shtetit atje, duke i konsideruar të paligjshme disa shoqata, që kishin votuar. Kujtojmë se në zgjedhjet e 7 shkurtit, Armando Duka fitoi me 38 vota përballë rivalit Bashkim Fino, që mori 24 vota, ndërsa 3 vota të tjera rezultuan të pavlefshme.

Leave a Reply