Të mërkurën përcaktohen finalistët e Kupës së Kosovës në futboll

E mërkura në futbollin kosovar është e rezervuar për dy ndeshjet e kthimit të ½ së finales në kuadër të Kupës.  Prishtina do të udhëtojë në Vushtrri me epërsinë e një goli nga sfida e parë e zhvilluar në Pejë (1:0).

Edhe pse Vushtrria garon në një kategori më të ulët të garave, bardhekaltrit e kryeqytetit nuk do ta kenë aspak të lehtë për siguruar kalimin në finale, ngase skuadra e drejtuar nga Isa Sadriu është treguar kompakte si dhe do ta ketë përkrahjen e maksimale të tifozëve të saj.

Të dyja skuadrat janë duke luftuar në dy fronte, pasi Prishtina krahas kupës e synon edhe titullin e kampionit në Superligë, derisa Vushtrria po lufton për rikthimin në elitë dhe aktualisht ndodhet në pozitën e tretë në Ligën e Parë, kurse në fundjavë do ta ketë njërën prej ndeshjeve kryesore në kampionat kundër liderit të renditjes, KEK-ut.

Ndeshja tjetër gjysmëfinale zhvillohet në Gjakovë, ku përballen dy skuadrat kuqezi, Vëllaznimi dhe Drenica. Në ndeshjen e parë që u zhvillua në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, këto skuadra barazuan 1:1, prandaj për një nuancë Vëllaznimi vlerësohet si favorit, duke pasur parasysh përkrahjen që do ta ketë nga tifozët vendas.

Sidoqoftë, në katër përballjet e këtij edicioni bilanci i këtyre ekipeve është i barabartë, ngase dy ndeshje kanë përfunduar pa fitues, kurse nga një e kanë fituar secila. Finalja e Kupës së Kosovës është paraparë të luhet më 26 maj, kurse fituesi e fiton të drejtën e garimit në Liga Europa. Të dyja ndeshjet fillojnë në orën 15:00.

Leave a Reply