Tipuriç: Të shfrytëzojmë atmosferën e mirë në skuadër dhe fushën tonë

Të mërkurën për herë të parë pas më shumë se katër muajve, FC Shkupi do të luaj para tifozëve të vetë në Çair, kur në kuadër të javës së 30-të do të përballet me Pobedën. Kjo ndeshje për të dyja skuadrat është me rëndësi të veçantë, andaj të gjithë me shumë pozitivitet dhe atmosferë të mirë e presin këtë duel, për të marrë tri pikë të reja, sidomos nga klubi “bardhekaltër” që shpreson se në fund do të festojë fitoren bashkë me tifozët e flaktë “Shvercerat”.

Lidhur me takimin e nesërm ndaj skuadrës nga Prilepi, për faqen zyrtare të FC Shkupit, ka folur mbrojtësi boshnjak, me pasaportë austriake Toni Tipuriç, i cili mes tjerash ka thënë se të gjitha sfidat do të jenë të vështira, për të cilat duhet angazhim maksimal të të gjithë futbollistëve.

“Sigurisht që Pobeda nuk vjen në Çair vetëm sa për të luajtur 90 minuta, sikur ne edhe ata kanë nevojë për pikët. Ne duhet që të jemi të durueshëm që nga minuta e parë e deri te e fundit, të koncentruar dhe luftarak. Kemi deri në fund edhe 7-të ndeshje ku mundë të merren 21 pikë. Duhet të shikojmë nga ndeshja në ndeshje dhe të japim maksimumin nga vetja. Sigurisht që nuk është e lehtë që të luash 11 ndeshje në 35 ditë por nuk ka zgjidhje tjetër. Në ekip mbizotëron një atmosferë shumë e mirë dhe të gjithë mendojmë pozitivisht dhe mezi se presim që më në fund të luajmë në Çair para publikut tonë” – ka thënë Tipuriç për faqen zyrtare të klubit.

Ndeshja FC Shkupi – Pobeda nesër në Çair starton në ora 16:00, ndërsa e njëjta do të drejtohet nga arbitri tetovar, Josip Barton.

Leave a Reply