Besa e Pejës fiton turneun “Shkëlzen Haradinaj” në futsall

Besa e Pejës e ka fituar edicionin e pestë të turneut tradicional në futsall “Shkëlzen Haradinaj”, i cili u mbajt të martën në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë në organizim të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Në ndeshjen finale pas një loje mjaft interesante, rivalizuese, e me plot aksione atraktive skuadra pejane iu gëzua fitores kundër Feniksit nga Drenasi, me rezultat 2:1. Besa, pjesë e së cilës janë edhe dy futbollistët shkupjan, Taulant Ismaili dhe Orhan Ibishi si dhe dy kumanovarët, Ferid Agushi dhe Dragan Petroviç, kaloi në epërsi në minutën e dytë me golin e Agon Rexhës.

Feniksi reagoi shpejt dhe barazoi rezultatin me golin e Shqipron Brahimit, në minutën e 7-të. Megjithatë, pejanët arritën ta kthejnë epërsinë në minutën e 16-të, me golin e Jeton Rukovcit, që në fund doli të jetë edhe goli i fitores, pasi në vazhdim arritën të mbrohen mirë, me gjithë presionin e vazhdueshëm të Feniksit. Paraprakisht në gjysmëfinale Besa e mposhti Prizrenin, me rezultat 6:1, derisa Feniksi e mundi Prishtinën, 4:0.

Para ndeshjes finale u zhvillua edhe një ndeshje revyale, ku Veteranët e Prishtinës, në ekipin e të cilëve u paraqitën edhe nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi e sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu e mundi ekipin e Veteranëve të Dukagjinit, me rezultat 3:2. Në fund u shpërndanë medaljet dhe kupat e turneut. Portieri më i mirë u shpall Arbnor Krasniqi i Besës, të cilin kupën ia ndau Hajdar Sutaj.

Golashënuesi më i mirë ishte Agon Ramadani i Feniksit, kupën të cilit ia dorëzoi Muharrem Sahiti, derisa lojtari më i mirë i turneut u shpall Agon Rexhaj, kapiten i Besës, e trofeun ia dorëzoi Rasim Gimolli. Medaljet për skuadrën e Feniksit i shpërndanë Ilaz Mjaku dhe Ekrem Ahmeti, derisa medaljet për skuadrën e Besës i ndau sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, derisa trofeun e turneut kapitenit të Besës, Agon Rexhaj ia ndau nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi.

Leave a Reply