Shkëndija sot ndaj UniPab zhvillon finalen e parë nga katër të fundit për ngjitje në elitën e futsalit

Shkëndija e Tetovës që pretendon të sigurojë një vend për në elitën e futsalit vendor, sot në Koçani përballë UniPab do të zhvillojë një nga katër ndeshjet e fundit finale, që do të vendos shumë rreth synimit të “kuqezinjëve” për këtë edicion, njofton “infOSport.mk”.

Aktualisht Shkëndija ndanë pozitën e dytë me ekipin e Gemixhi, teksa kundërshtari i sotshëm renditet në pozitën e katërt. Lidhur me këtë takim, që sipas tij është edhe finalja e parë dhe shumë e rëndësishme, për “infOSport.mk” foli kryetari i klubit tetovar, Ajetali Dervishi – Tushi: “Do të jetë kjo një ndeshje e vështirë, do të thoja finalja e parë nga katër gjithsej që na presin deri në mbyllje të këtij edicioni. Jemi të përgatitur maksimalisht dhe besoj se një rezultat pozitiv nga kjo ndeshje do shtonte shanset tona që edhe më fuqishëm të besojmë në realizimin e ëndërrës sonë, ngjitjes në Ligën e Parë të Futsalit”.

Ndeshja UniPab – Shkëndija starton sot në ora 18:00, ndërsa deri në mbyllje të sezonit “kuqezinjtë” nga Tetova do të përballen edhe me Gemixhi, një ndër skuadrat tjera pretendente për tu ngjitur në mesin e më të mirëve në futsal, ndeshje këtë që do ta zhvillojnë në Tetovë, njëjtë sikurse edhe atë të javës së 26-të ndaj Ovçe Poles, ndërsa në ndeshjen e fundit do të përballen me kryesuesit aktual të Crna Rekës në Kavadar, ndeshje kjo që mund të vendos se cila prej këtyre dy skuadrave sezonin e ardhshëm do të luaj në elitën e futsalit vendor.

Aktualisht Crna Reka kryeson renditjen me 61 pikë, 5 më shumë se Gemixhi dhe Shkëndija që ndajnë pozitën e dytë në renditje.

Leave a Reply