Shtohen polemikat në “Serie A”, arbitrat sërish “bëjnë tifo” për Juven

Juventusi  mbrëmjen e të shtunës mori fitoren e rradhës ndaj Bolonjës, duke përmbysur rezultatin nga 0:1 në 3:1, por polemikat nuk munguan as këtë herë.

Ashtu si në ndeshjen ndaj Interit, edhe në takimin e mbrëmshëm ishte sërish arbitri protagonist, duke ndikuar ndjeshëm në përmbysjen e rezultatit.

Kështu moviola ka vlerësuar se arbitri Irrati, në bashkëpunim me VAR-in kanë gabuar në dy momente në favor të “Zonjës së Vjetër”, çka e lehtësoi edhe përmbysjen e rezultatit.

Rasti i parë ishte ai i minutës së 26-të, kur Crisetig rrëmbeu një top dhe u nis i vetëm drejt portës së Bufon, por Rugani shkakton faull me duar nga mbrapa.

Pas nëj pauze të gjatë, Irrati akordon 11-metërsh dhe ndëshkon me karton të verdhë mbrojtësin e Juventusit, një vendim që nuk respekton aspak rregulloren. Futbollisti i Bolonjës ishte nisur i vetëm përballë Bufon dhe Rugani si futbollist i fundit duhej ndëshkuar me karton të kuq.

Një tjetër rast mjaft diskutabil, ku as Irrati dhe as VAR nuk arritën të marrin vendimin e duhur, ishte ai i momentit kur Khedira shënoi golin e dytë për “bardhezinjtë”, transmeton tch.

Mesfushori gjerman shtyn dukshëm futbollistin e Bolonjës që kishte para vetes, duke mos i dhënë mundësi të kërcejë dhe të largojë topin, që më pas vetë Khedira e dërgoi topin në rrjetë. Protesta e futbollistëve të Bolonjës nuk vlejti as në këtë rast, që Irrati dhe VAR të rishikonin aksionin dhe të anulonin golin.

Kështu pas një fitoreje tejet të kontestuar të shtunën e kaluar në “Xhuzepe Meaca”, ku Orsato la Interin me 10 futbollistë që në minutën e 18-të, ndërsa fali në dy raste të tjera Pjaniçin e Juventusit, edhe këtë të shtunë arbitrimi vendoset dukshëm në favor të “bardhezinjve”, duke u dhënë atyre një dorë drejt fitimit të titullit të 7 radhazi. Falë fitores së mbrëmshme, Juve ka 91 pikë, 7 më shumë se Napoli i vendit të dytë, që ndeshjen e saj të javës së 36-të do ta zhvillojë sot në “Sao Paolo” kundër Torinos me fillim në ora 15:00.

Leave a Reply