Sautemptoni fiton betejën e mbijetesës me Suonsin (VIDEO)

Sautemptoni ka shënuar një fitore shumë të madhe në transfertën ndaj Suonsit, njofton “infOSport.mk”. “Macet e zeza” regjistruan fitore minimale 0:1 në “Liberti Stadium” në ndeshjen e mbetur të javës së 31-të. Ishte kjo një përballje midis dy skuadrave që me mish e shpirt po luftojnë për mbijetesën në Premierligë. Dhe pikërisht për këtë kjo fitore e Sautemptonit kishte shumë vlera, ndërsa hero i tyre doli të jetë sulmuesi italian, Manolo Gabiadini.

Ish sulmuesi i Napolit golin e vetëm në këtë përballje e realizoi në minutën e 72-të. Falë kësaj fitore Sautemptoni tashmë numëron 36 pikë dhe aktualisht renditet në pozitën e 16-të, duke zbritur në këtë mënyrë Suonsin në pozitën e 18-të me 33 pikë.

Sautemptoni që sonte edhe praktikisht siguroi mbijetesën, në ndeshjen e fundit të këtij sezoni do të luaj ndaj Mançester Sitit, teksa Suonsi kundër Stouk Sitit të Xherdan Shaqirit. Një fitore në këtë ndeshje do të ringjallte shpresat e Suonsit, mirëpo gjithnjë nëse Hadersfilldi i vendit të 17-të në dy ndeshjet e fundit që ka për të zhvilluar pëson disfata përballë Çelzit dhe Arsenalit. Edhe Hadersfilldi, njëjtë sikurse Sautemptoni për momentin ka 36 pikë të tubuara.

Leave a Reply