E bujshme, Beshiktashi transferon sulmuesin e Skënderbeut!?

Skuadra e Beshiktashit, që sezonin e sapo përfunduar në Superligën turke e mbylli në pozitën e katërt, duke humbur titullin e kampionit, është vënë pas shërbimeve të sulmuesit të Skënderbeut, Ali Soue.

Sulmuesi me origjinë nga Gambia, që në sezonin e tij të parë shkëlqeu te skuadra korçare, duke u shpallur kampion dhe njëkohësisht duke fituar çmimin “Këpuca e Artë” me plotë 21 gola të shënuar. E gjithë kjo nuk ka mbetur pa u vërejtur edhe nga skuadra të ndryshme europiane, ndërsa sipas asaj që shkruan shtypi turk, përveç Beshiktashit, interes për shërbimet e sulmuesit të Kievos së Italisë, që te Skënderbeu po luan në formë huazimi, ka shfaqur edhe skuadra e Trabzonsporit.

Trabzonspori ofron deri në 200 mijë euro, ndërsa Beshiktashi me siguri mund të ofrojë më shumë, për më tepër që Soue pëlqehet edhe nga ana e trajnerit Shenoll Gynesh, që thuhet të ketë dhënë “ok”-in e tij për ta pasur atë në skuadër.

I gjithë ky interesim na bënë me dije se Skënderbeu do ta ketë shumë të vështirë për ta mbajtur edhe një sezon tjetër sulmuesin Soue, i cili me shumë gjasa të dielën (27 maj) do të zhvillojë ndeshjen e tij të fundit me fanellën e skuadrës korçare, ku Skënderbeu pretendon të fitojë Kupën e Shqipërisë përballë Laçit.

Leave a Reply