Golden Stejt kampion në Konferencën e Perëndimit, eliminon Hjustonin

Golden Stejt ka fituar ndeshjen e 7-të vendimtare në serinë finale të ndeshjeve në Konferencën e Perëndimit ndaj Hjuston Roketsit, duke dalë kampion dhe duke u kualifikuar për në finalen e madhe të NBA-së.

Ashtu si në 3 edicionet e fundit edhe në këtë sezon të NBA-së finalja e madhe e yjeve të koshit do të diskutohet mes dy skuadrave që kanë bërë ligjin në këto vitet e fundit në basketbollin amerikan, Klivlend Kavaliers dhe Golden Stejt.

Në “Toyota Center” skuadra e trajnerit Mike D’Antoni e nisi në mënyrë të shkëlqyer ndeshjen duke e mbyllur pjesën e parë në epërsi prej 11 pikësh. Por vetëm kaq për “Roketsat” sepse pjesa e dytë foli e gjitha në favor të kampionëve në fuqi të NBA-së. Formacioni i drejtuar nga trajneri Stiv Kerr i udhëhequr nga dyshja Durant-Keri zhvilloi një periudhë të tretë fantastike të cilën e mbylli me shifrat 33:15 në favor duke marrë jo vetëm kryesimin por duke vendosur njërën dorë te triumfi.

 

Në “Toyota Center” të Teksasit përfundoi gjithçka me fitoren 101:92 të Golden Stejt që mbylli serinë 4-3 me ndeshje duke prekur finalen e madhe.

34 pikë 5 asiste dhe 5 rikuperime koleksionoi Kevin Durant i cili doli të jetë basketbollisti më efikas i takimit, ndërsa një ndihmë të madhe në këtë sukses të skuadrës nga Oakland dha edhe Stefan Keri, autori i 27 pikëve, 10 asisteve e 9 kërcimeve.

Në anën tjetër Xhejms Harden ishte më efikasi te Hjuston Rokets, duke realizuar 32 pikë.

Leave a Reply