KF Rinia´98  të dielën në jubileun e saj 20-vjeçar feston ngjitjen në Ligën e Tretë

KF Rinia ’98 nga fshasti Svillare e Poshtme, pjesë e Komunës së Sarajit të dielën ka festë të dyfishtë, njofton “infOSport.mk”. Kjo skuadër përveç jubileut 20 vjeçar të themelimit, feston gjithashtu edhe ngjitjen në Ligën e tretë Futbollistike të Maqedonisë. Është ky një rrugëtim i bukur i këtij klubi shqiptarë, i cili ishte themeluar me të vetmin qëllim që rinisë së kësaj ane ti mundësojë të merret me sport dhe mos të devijoj rrugëve të këqija.

Dhe sot pas plotë 20 viteve, me punë të palodhshme dhe me angazhim të rinisë dhe banorëve të këtij rajoni, KF Rinia´98 ia arriti qëllimit, duke u bërë simbol i bashkimit të rinisë, që tashmë i gëzohet edhe suksesit.

Pra viti 2018-të mund të konsiderohet pa dyshim si i tillë, pasi KF Rinia ’98 bëri ëndërrën realitet, duke u shpallur kampion në garat komunale të qytetit të Shkupit, ashtu që vitin tjetër kjo skuadër do prezantojë Komunën e Sarajit dhe gjithë banorët e saj në Ligën e Tretë – Veri.

KF Rinia ’98 në ligën komunale të Shkupit ishte superiore, ku në 12 ndeshje të zhvilluara regjistroi 11 fitore dhe 1 barazim, duke lënë pas vetes ekipin e Nju Jork nga Çairi.

Të dielën kjo skuadër do të pranojë edhe kupën për titullin e fituar në garat Komunale, kur në stadiumin e Nju Star në lagjen e Gjorçe Petrovit do të përballet me ekipin e OFS Skopje (ora 17:00) në një miqësore, pas së cilës do të pasojë edhe festa për suksesin historik të KF Rinia ’98, transmeton “infOSport.mk”.

Do të jetë ky një rast i mirë që githë dashamirët e futbollit, në veçanti ata nga Komuna e Sarajit të përkrahin këta djelmosha nga afër në shenjë respekti për sukseset e arritura gjatë sezonit që lamë pas.

Leave a Reply