Alban Bushi: Taulant Seferi i gatshëm edhe për Kombëtaren “A” të Shqipërisë

Trajneri i Kombëtares Shpresa të Shqipërisë, Alban Bushi doli sot në një konferencë për shtyp, ka folur për ecurinë e skuadrës dhe gjendjen e futbollistëve gjatë tre ndeshjeve miqësore të zhvilluara në periudhën Maj-Qershor. Ai ka mbetur i kënaqur me atë që kanë treguar futbollistët e grumbulluar për këto miqësore, pjesë e të cilave ishin edhe dy futbollistët shqiptarë me origjinë nga Maqedonia, Taulant Seferi i Jang Bojs dhe Shefit Shefiti i Shkëndiëjs së Tetovës.

Ky i fundit debutoi me gol në ndeshjen ndaj Bjellorusisë, në të cilën ndeshje kumanovari Seferi mbante shiritin e kapitenit.

Për këtë të fundit Bushi tha se është i gatshëm të kalojë edhe te Kombëtarja “A” e Shqipërisë dhe të vihet nën urdhërat e trajnerit Kristian Panuçi.

“Ka shumë lojtarë cilësorë që mund t’i bashkohen skuadrës së Panuccit, duke filluar që nga muaji Shtator, siç iu bashkuan disa të tillë tani. Mund të përmend Seferin, që luan me Young Boys dhe është shumë potent. Këtë lojtar e shoh gati për të luajtur me Kombëtaren e madhe, pasi ka entuziazmin, potencën dhe pjekurinë e duhur për ta bërë këtë”, mbylli deklaratën e tij Bushi.

Shpresat e Kombëtares shqiptare të futbollit në shtator do të përballen me Spanjën në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Europian U-21.

Leave a Reply