Demir Imeri përfundon kontratën me Kamzën

Demir Imeri është një futbollist i lirë. Talenti 22-vjeçar së fundmi ishte pjesë e Kamzës, me të cilën skuadër kishte kontratë deri me 31 maj. Palët nuk gjetën gjuhën e përbashkët për të vazhduar bashkëpunimin, ashtu që tashmë futbollisti kërçovarë është në kërkim të sfidave të reja.

Rikujtojmë Imeri, skuadrës së Kamzës iu bashkua gushtin e vitit të kaluar, ndërsa brenda një periudhe 9 mujore, ai zhvilloi 21 ndeshje kampionale, duke realizuar 3 gola, dy prej të cilëve ndaj skuadrës së Vllaznisë nga Shkodra.

Ndryshe sa i përket karrierës së tij, ai e kishte nisur në vendlindje te skuadra e Vëllazërimit, nga e cila në moshën 16-vjeçare kishte bërë një transferim te Rabotniçki. Falë paraqitjeve të tij të mira u bë edhe pjesë e përfaqësueseve U17 dhe U19 të Maqedonisë, ndërsa në vitin 2014 pasoi transferimi i tij më i bujshëm te Shkëndija e Tetovës, përmes së cilës arriti që të luaj edhe me Maqedoninë U21.

Konkurrenca e madhe te Shkëndija, bëri që drejtuesit “kuqezinj” të huazojnë atë fillimisht te Horizont Turnova dhe më pas edhe Renova, ndërsa gjatë vitit 2017-të, 22-vjeçari realizoi transferimin e tij të parë jashtë vendit.

Mbetet të shihet nëse do të vazhdojë sërish jashtë Maqedonisë, apo do të rikthehet në futbollin vendor, një gjë të tillë duhet pritur ditëve në vijim, kur ndoshta Imeri edhe përfundimisht do të vendos se cilës skuadër do i bashkohet.

Leave a Reply