Burhan Aliji vazhdon kontratën me Vëllazërimin

Mesfushori kumanovar, Burhan Aliji do të vazhdojë të jetë pjesë e Vëllazërimit edhe në sezonin e ri futbollistik, njofton “infOSport.mk”. Aliji ka nënshkruar kontratë një vjeçare, ndërsa lajmin për portalin tonë e konfirmoi vetë drejtori sportiv Isak Arifi.

Mesfushori 28-vjeçar Vëllazërimit iu bashkua janarin e këtij viti, ndërsa me paraqitjet e tij gjatë stinorit pranveror të sezonit të kaluar bindi drejtuesit e klubit nga Kërçova, për të vazhduar bashkëpunimin edhe për sezonin 2018/2019, ku si piksynim skuadra që tashmë udhëhiqet nga Bujar Islami ka një vend në elitën e futbollit vendor. Përveç këtij rinovimi, ju kujtojmë se Vëllazërimi ditë më parë arriti që të nënshkruajë edhe me sulmuesin e Shkëndijës, Shpend Asani, ndërsa ditëve në vijim pritet të ketë edhe emra të rinj, të cilët do të risnin konkurrencën te kjo skuadër.

Ndryshe Burhan Aliji, para se të vinte te Vëllazërimi ishte pjesë e skuadrës shkupjane të EuroMilk, ndërsa gjatë karrierës së tij të bujshme, gjithashtu ka luajtur edhe për skuadrat, si: Bashkimi, Gostivari, Milano, Teteksi, Shkëndija, Dritën e Bogovinës, dhe Lirinë e Prizenit në Superligën e Kosovës.

Leave a Reply