Pse Ronaldo zgjedh gjithmonë fanellën me numër 7?

Numri ‘7’ është bërë një sinonim për Kristiano Ronaldon, që e mbajti veshur në fanellë që nga koha kur ishte pjesë e Mançester Junajtedit, për të vazhduar pastaj edhe te Real Madridi.

33 vjeçari këtë numër përgjatë karrierës së tij e ka shndërruar në një markë botërore, dhe është e vështirë ta shohim të shoqëruar në ndonjë numër tjetër.

Edhe te skuadra e tij e re, Juventusi, ylli portugez është vendosur për numrin 7, që para transferimit të tij mbahej nga Huan Kuadrado.

Po pse Ronaldo gjithmonë zgjedh fanellën me numër 7. Ronaldo prej vitesh ka qenë i lidhur me numrin 7, i cili e ka ndihmuar të krijojë një markë botërore ‘CR7’.

Megjithatë ky numër nuk ka qenë i preferuar për portugezin gjatë transferimit te Mançester Junajtedi në vitin 2004.

Te Sportingu në Portugali ai mbante numrin 28, dhe atë numër e kërkoi edhe te Junajtedi, por më pas ishte trajneri Sir Aleks Ferguson ai i cili ia besoi numrin 7, duke pasur besim të madh se Ronaldo do të arrinte në nivele të larta në futboll.

Para Ronaldos te “Djajtë e Kuq” numrin 7 e kanë mbajtur legjenda si Dejvid Bekam, Xhorxh Best dhe Erik Cantona.

Në vitin 2009, kur Ronaldo u transferua te Real Madridi, ai fillimisht mori numrin 9 derisa u lirua numri 7, që mbahej nga legjenda Raul Gonzales, që pastaj u transferua drejt Shalke 04 në Gjermani.

Numrin 7 Ronaldo e mori edhe te Juventus, i cili iu dhurua vullnetarisht nga reprezentuesi i Kolumbisë, Huan Kuadrado.

Këtë numër në të kaluarën te Juventusi e kanë mbajtur futbollistë si Simone Pepe, Hasan Salihamixhiç, Xhanluka Pesoto, Anxhelo Di Livio dhe Didier Deshamp.

Duket se portugezi do të mbetet i lidhur përjetësisht me këtë numër, që i ka sjellë fat dhe karrierë të madhe në futboll.

Leave a Reply