Ish trajneri i Shkëndijës merr drejtimin e FC Shkupit!?

FC Shkupi aktualisht është pa trajner, ndërsa në skenë kanë dalur disa emra që mund të zëvendësojnë Zekirja Ramadanin, i cili ditë më parë dha dorëheqje pas startit të dobët në sezonin e ri, e ku si kulminacion ishte eliminimi që në raundin e parë nga Kupa e Maqedonisë.

Burime jozyrtare për “infOSport.mk” bëjnë me dije se ish trajneri i Shkëndijës, Shpëtim Duro shihet si një ndër kandidatët më serioz për të pasuar Zekon, ndërsa gjithashtu “infOSport.mk” mëson se menaxherë nga Shqipëria drejtuesve “bardhekaltër” ju kanë ofruar edhe Julian Ahmatajn.

Ky i fundit nuk ka ndonjë eksperiencë shumë të madhe si trajner, ndërsa sa i përket Duros, bëhet fjalë për një strateg që pas vetes ka një bagazh të pasur, ku gjatë karrierës së tij ka drejtuar më të mirën nga Shqipëria, por gjithashtu më të mirën edhe nga Maqedonia. Ai pjesë e Shkëndijës ishte në dy periudha të ndryshme, edhe atë gjatë sezonit 2013/2014 dhe 2015/2016, ndërsa në Shqipëri ka drejtuar skuadrat si Partizani, Skënderbeu, Besa Kavajë, Vllazninë dhe së fundmi Flamurtarin.

Duke pasur parasysh se Duro njeh shumë mirë edhe futbollin tonë vendor, besohet se pikërisht emërimi i tij në krye të FC Shkupit për momentin do të ishte zgjidhja më e mirë nga ana e drejtuesve të skuadrës nga Çairi, që si synim edhe këtë vit ka daljen në Europë.

Leave a Reply