Rosenborgu në Shkup me një mungesë të madhe!

Skuadra kundërshtare e Shkëndijës në fazën “play-off” të Liga Europa, Rosenborgu për në Shkup do të udhëtojë pa sulmuesin Andre Heland, i cili pësoi një lëndim në ndeshjen e fundit kampionale kundër Shtromgodset, në të cilën ndeshje skuadra e tij në fund shënoi fitore 4:3.

Lajmin e konfirmoi edhe vetë  trajneri holandez, Rini Kulen, i cili tha se mesfushori 28-vjeçar nga fushat e futbollit do të mungojë për rreth një muaj.

“Heland nuk do të jetë në gjendje për të luajtur në tre ose katër javët e ardhshme. Ai është më se e sigurtë se nuk do të luaj ndaj Shkëndijës, por gjithashtu edhe në disa ndeshje kampionale” – ka thënë trajneri, Rini Kulen.

Heland u dëmtua në minutën e 24-të, kur u zëvendësua nga suedezi Levi, futbollist ky i cili kishte qenë një ndër autorët e golave ndaj Shkëndijës në ndeshjen e parë të zhvilluar në Trondhajm, kur “kuqezinjtë” e Qatip Osmanit kishin pësuar disfatë me rezultatin 3:1. Përveç Levit, në atë ndeshje për ekipin norvegjez kishin shënuar edhe Xhebali dhe Bendtner, teksa golin e vetëm për Shkëndijën, që mban gjallë shpresat “kuqezi”, e realizoi Stenio Zhunior.

Ndeshja e dytë dhe vendimtare rreth udhëtuesit për në fazën e grupeve të Liga Europa midis Shkëndijës dhe Rosenborgut do të zhvillohet të enjten në arenën “Filipi i Dytë” me fillim në ora 20:15.

Leave a Reply