E treta e vërteta, Shkëndija gati të shkruaj historinë!

Shkëndija sonte është para një sfide shumë të rëndë, ku ka gjasa të shkruajë historinë më të lavdishme të klubit. Skuadra tetovare është vetëm një hap larg kualifikimit në grupet e Liga Europa, që do të ishte edhe suksesi më i madh për Shkëndijën, ndërsa njëkohësisht do të bënte që Maqedonia për të dytin vit me rradhë të ketë përfaqësuesin e saj në këtë kompeticion, pasi një gjë të tillë vitin e kaluar kishte bërë Vardari.

Për dallim nga këta të fundit, Shkëndija ka hyrë në histori si skuadra e parë nga Maqedonia që tre vite me rradhë do të luajë në fazën “play-off” të Liga Europa, pasi paraprakisht në vitin 2016-të ata u eliminuan nga Genti i Belgjikës, ndërsa një vit më parë u eliminuan nga gjigandët italian të Milanit.

Është kjo hera e tretë dhe ndoshta e vërtetë për djelmoshat e trajnerit Qatip Osmani për të bërë atë hapin final dhe për të na sjellë në Shkup edhe ndonjë emër të madh, ku sërish mund të jetë Milani, por gjithashtu edhe skuadra si Çelzi, Sevilja, Fenerbahçe, Arsenal si dhe finalisti i vitit të kaluar, Olimpik Marsej.

Megjithatë për të arritur dhe për të patur mundësinë që të ndeshjet me ndonjërën prej këtyre dy skuadrave, Shkëndija sonte fillimisht do të duhet të eliminojë Rosenborgun, që në Shkup vjen me dy gola epërsi dhe fitoren 3:1 nga ndeshja e parë në Trondhajm.

Mirëpo për të arritur atë rezultat të mjaftueshëm, atë fitore shumë të dëshiruar 2:0, Shkëndijës është shumë normale që i nevojitet një përkrahje e madhe nga tribunat e stadiumit “Filipi i Dytë”, aty ku me fillim në ora 20:15 arbitri bjellorus Aliaksei Kulbakov do të jap shenjë për startin e takimit.

Leave a Reply