Maqedonia dy ndeshje miqësore me Kosovën

Përfaqësuesja A e femrave të Maqedonisë do të zhvillojë dy ndeshje miqësore kundër përfaqësueses së Kosovës, e cila në vendin tonë është akomoduar që gjatë ditës së djeshme, njofton “infOSport.mk”.

Ndeshjen e parë këto dy përfaqësuese do ta zhvillojnë gjatë ditës së sotme me fillim në ora 17:00 në terenet afër Federatës së Futbollit të Maqedonisë, ndërsa ndeshjen e dytë me datë 2 shtator po të njëjtën kohë dhe vend.

“Janë dy ndeshje miqësore, përmes së cilave dëshirojmë të nxjerrim më të mirën nga ekipi ynë. Edhe pse janë vetëm ndeshje miqësore kërkojmë një qasje serioze, pasi të njëjtat do të na shërbejnë për të ardhmen ku dëshirojmë që sa më mirë të përgatitim ekipin tonë për ndeshjet parakualifikuese që startojnë në muajin mars të vitit të ardhshëm” – tha enkas për “infOSport.mk”, ndihmës trajneri i përfaqësueses A të Maqedonisë, Ferdi Ismaili.

Në anën tjetër përzgjedhësja e përfaqësueses së Kosovës, Afërdita Fazlija në prag të këtyre dy takimeve u shpreh: “Do të shfrytëzojmë rastin të shohim nga afër përformacen e prurjeve të reja. Është shumë e rëndësishme që nuk kemi asnjë refuzim të futbollisteve nga jashtë gjë që flet se ekipi kombëtar i Kosovës po bëhet gjithnjë e më joshës. Tashmë pas pranimit në UEFA dhe FIFA edhe qasja në FFK-ja ka ndryshuar shumë sa i përket futbollit të femrave, ku kemi një angazhim të jashtëzakonshëm. Shpresoj të marrim më të mirën nga këto dy ndeshje me Maqedoninë”.

Leave a Reply