Tajlandezi Menayothin thyen rekordin e Majvedher

Rekordi i 50 fitoreve dhe asnjë humbje që mbahej deri sot nga boksieri Flojd Majvedher tashmë i përket së kaluarës, pasi në skenë tashmë ka dalë një legjendë tjetër që do mbajë rekordin e ri.

Fjala është për tajlandezin 32-vjeçar, Vanheng Menayothin, i cili pas fitores ndaj filipinasit, Pedro Taduram, arriti në kuotën e 51 fitoreve të njëpasnjëshme, duke mos humbur në asnjë meç.

Menayothin është njëkohësisht edhe kampion bote i kategorisë WBC në peshën “mini-flyweight”, pesha më e vogël që njihet zyrtarisht në botë.

Dueli mes Menayothin dhe Taduram u zhvillua në Nakhon Sawan të Tajlandës, në vendlindjen e kampionit të botës, që falë edhe mbështetjes së fansave të tij arriti të korrë këtë sukses historik, duke e mbrojtur për të 15-ën herë titullin kampion që për herë të parë e kishte fituar në nëntor të vitit 2014-të.

Në fakt, pesha “mini-flyweight” por edhe boksieri i rekordit nuk janë shumë të njohur në botë, por ajo është një peshë që njihet nga të gjitha divizonet.

E vetmja fushë ku Menayothin nuk do të arrijë ta mposhtë Majveadherin janë fitimet marramendëse që ka arritur boksieri amerikan, tashmë në pension.

Leave a Reply