Eljesa Neziri i bashkohet Prishtinës

Eljesa Neziri, i cili njëherit mbron edhe ngjyrat e Kombëtares së Shqipërisë në futsal, sezonin e ri do të luaj në Superligën e Kosovës me skuadrën e Prishtinës, njofton “infOSport.mk”.

Neziri i cili në sezonin 2016/2017 u shpall kampion me Futsal Shkupin, te Prishtina do të rigjejë ish shokun e tij nga skuadra “bardhekaltër”, Erkan Seferi.

Neziri sezonin e kaluar ishte pjesë e Juventusit, ndërsa nga data 30 gusht deri me 2 shtator ishte pjesë e Tiranës vetëm për ndeshjet preliminare të Ligës së Kampionëve. Tirana ishte pjesë e grupit “D”, ku si organizatorë u shfaqën gjermanët e VFL 05 Hohenstein-Ernstthal, të cilët njëherit edhe dolën fitues të grupit me 7 pikë, duke lënë pas vetes grekët e Doukas SAC me 5 pikë dhe Tiranës që grumbulloi 4 pikë, duke regjistruar një fitore, një barazim dhe një disfatë.

Pas Futsal Shkupit, Juventus Seravës dhe një aventure të shkurtë me Tiranën, Neziri do të provojë veten edhe te skuadra e Prishtinës, një klub ky mirë i organizuar që pretendon të shpallet kampion në elitën e futsalit kosovar.

Leave a Reply