Osaka shkruan historinë, bëhet japonezja e parë që triumfon në US Open

Tenistja e talentuar 20-vjeçare, Naomi Osaka ka shkruar historinë, duke u bërë japonezja e parë që ka arritur të triumfojë në “Grand Slam” turneun e US Open. Ajo në finalen e madhe mundi tenisten amerikane, Serena Uilliams me rezultatin 2:0, në sete 6-2, 6-4.

Seti i parë nuk pati shumë histori, pasi Osaka thjeshtë nuk i dha mundësinë amerikanes që të vije në shprehje.

Në setin e dytë, Serena filloi të japë reagimin, duke avansuar me rezultatin 3-1 në sete, por shumë shpejtë erdhi reagimi i Osakas, e cila fitoi 4 game rradhazi, duke e avansuar me rezultatin 5-3, ndërsa në fund të njëjtin e fitoi me rezultatin 6-4.

Megjithatë kjo finale e cila zgjati rreth 1 orë e 20 minuta nuk kaloi pa polemika, pasi Serena Uilliams kishte disa debate me gjyqtarin e takimit, e madje në një moment gjatë ndeshjes prishi një nga reketet e saj.

Pas përfundimit të finales, të dyja tenistet u dukën mjaft të emocionuara, me Osakën që ngriti në qiell trofeun e parë të “Grand Slamit” në karrierën e saj.

US Open do të ulë siparin me finalen e meshkujve, ku do të ndeshen serbi Novak Djokoviç dhe argjentinasi Huan Martin Del Potro.

Leave a Reply