Shqipëria gati për sfidën me Skocinë, priten ndryshime në formacion

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka mbyllur përgatitjet për ndeshjen kundër Skocisë, e vlefshme për Ligën e Kombeve, që do të luhet sot në Gllazgou me fillim në ora 20:45.

Kombëtares shqiptare së fundmi i është bashkuar edhe mesfushori Ergys Kaçe, i cili vjen në Kombëtare pas largimit të parakohshëm të Eros Grezdës. Por Kaçe mund të jetë grumbulluar edhe për arsye taktike, pasi si mesfushor qëndre, ai mund të përdoret për ndryshimin e modulit të lojës nga trajneri Panuçi, i cili mund të bëjë edhe ndonjë ndryshim në formacion, gjithnjë nëse do të ndryshonte modulin e lojës.

Në portë nuk ka dyshim që Thomas Strakosha të jetë titullar edhe në këtë ndeshje, pas paraqitjes së shkëlqyer me Izraelin.

Mbrojtja po ashtu pritet të jetë e rikonfirmuar me Binakun në krahun e majtë, Veselin dhe Xhimshitin në qendër dhe Elseid Hysaj në krahun e djathtë. Por mund të ketë edhe ndryshim në rast se Veseli nuk do të jetë gati, për shkak të një lëndimi që pati gjatë ndeshjes me Izraelin. Për këtë arsye Herdi Prenga mund ta nis nga fillimi, mirëpo duke mos harruar këtu edhe Mërgim Mavrajn.

Në mesfushë Xhaka dhe Basha pritet gjithashtu ta nisin titullar pas paraqitjes së mirë ndaj Izraelit, ndërkohë që Memushaj mund të jetë në diskutim pas grumbullimit të Ergys Kaçes.

Krahët pritet të jenë sërish në pronësi të Gavazajt dhe Hykës, ky i fundit pritet të jetë sërish kapiten. Sulmi mund të jetë dilema e vetme e trajnerit Kristian Panuçi, pasi mund të ketë një rrotacion midis Gurit dhe Balajt për çështjen e titullarit.

Leave a Reply