Liverpulli dhe Jurgen Klop me probleme te mëdha për ndeshjen ndaj PSZH-së

Trajneri i Liverpullit, Jurgen Klop po has në probleme në prag të sfidës së parë të Ligës së Kampionëve kundër kampionëve të Paris Sen Zhermen, pasi nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e Dominik Solanke dhe Divok Origi. Që të dy sulmuesit u dëmtuan në ndeshjen e luajtur me ekipin U-23 të dielën ndaj Suonsit, ndaj së cilës skuadër arritën që të shënojnë gola.

Në dyshim për këtë përballje mbetet edhe prania e brazilianit, Roberto Firmino. Duke folur për “Liverpoolfc.com”, Klop tha: “Fatkeqësisht, sikur të mos mjaftonte dyshimi për praninë e Firmino edhe ata që mund ta zëvendësonin Solanke dhe Origi u dëmtuan në ndeshjen me U-23. I çuam atje që të ruanin formën pasi nuk kanë pasur minuta të mjaftueshme në këtë fillim sezoni, por që të dy janë të padisponueshëm për ndeshjen ndaj PSZH-së.”

Në këto kushte, Daniel Starixh është qendërsulmuesi i vetëm që ka marrë pjesë në stërvitjen e djeshme të Liverpullit, skuadër kjo që edicionin e ri në Premierligë e nisi në mënyrë perfekte, duke marrë 5 fitore nga po aq ndeshje, me ç’rast për momentin së bashku me Çelzin ndajnë pozitën e parë në renditje.

Leave a Reply