Futsal Shkupi i sigurtë edhe në derbin lokal ndaj Juventus Seravës

Futsal Shkupi ka shënuar edhe fitoren e dytë nga po aq ndeshje të zhvilluara në sezonin e ri në elitën e futsalit vendor, pasi sonte në derbin lokal të zhvilluar në palestrën “Enver Idrizi” mundi Juventus Seravën në rolin e mysafirit me rezultatin 8:3, njofton “infOSport.mk”.

Ishin “bardhezinjtë” nga Serava që avansuan me golin e Berat Ramadanit, ndërsa kundërpërgjigjja erdhi nga ana e Rexhep Sulejmanit, i cili shumë shpejtë barazoi shifrat në 1:1. Pas këtij barazimi te Futsal Shkupi në skenë doli futbollisti më në formë në rradhët e “bardhekaltërve” nga Çairi, Ivan Sotirovski, i cili kaloi në epërsi Shkupin, teksa Sulejmani me golin e dytë personal i mundësoi skuadrës së tij që në pushim të shkojë me dy gola epërsi (1:3).

Me të filluar pjesa e dytë, Ismet Ceka shënoi edhe golin e katërt në rrjetën e ekipit vendas, ndërsa Arsim Fazliu shënoi edhe golin e pestë, duke i dhënë avantazhin më të kartë në ato momente Futsal Shkupit prej 4 golash.

Besnik Latifi ngushtoi epërsinë e “bardhekaltërve” në 2:5, ndërsa nuk vonoi shumë dhe Eroll Dalip sërish riktheu epërsinë e 4 golave, teksa Nermin Bishevac shënoi edhe golin e 7-të në rrjetën e Juventus Seravës, për rezultat 2:7.

Reshat Ali pak para fundit të takimit shënoi golin e tretë dhe të fundit për Juventus Seravën në këtë përballje, ndërsa rezultatin përfundimtarë Juventus Serava 3, Futsal Shkupi 8 e vendosi futbollisti i talentuar, Jetlir Ibrahimi, transmeton “infOSport.mk”.

Ishte kjo fitorja e dytë nga po aq ndeshje për Futsal Shkupin, që në këtë mënyrë e nis me këmbë të mbarë sezonin e ri. Për më tepër fitorja e sotme ndaj Juventus Seravës fiton në peshë, duke marrë në konsideratë barazimin 4:4 të Velesit në transfertën në Kavadar ndaj Crna Rekës.

Leave a Reply