Erxhan Menga debuton me fitore të madhe në bankinën e Gostivarit

Erxhan Menga ka debutuar me fitore në bankinën e KF Gostivarit, skuadër kjo që sot në derbin e madh shqiptarë mundi Struga Trim Lumin në transfertë me rezultatin e thellë 4:1, njofton “infOSport.mk”.

Me këtë fitore Menga dhe Gostivari bënë që tifozët e kësaj skuadre për një çast të harrojnë  dy disfatat e njëpasnjëshme në dy javët e fundit dhe të bindin ata se në vijim të kampionatit skuadra e tyre do të luaj një rol shumë të rëndësishëm.

Ndryshe fillimi i takimit nuk paralajmëroi një epilog të këtillë përfundimtarë, pasi Struga Trim Lum falë golit të shënuar nga Nijas Lena, avansoi vetëm pas 3 minutave lojë. Ky gol solli shumë gëzim në mesin e tifozëve dhe futbollistëve vendas, të cilët dështuan në fundin e pjesës së parë, kur brenda një minute pranuan dy gola. Ishte Lavdrim Skenderi ai i cili fillimisht barazoi shifrat në 1:1 në minutën e 44-të, ndërsa në minutën e fundit të pjesës së parë, Florent Osmani shënoi edhe për epërsinë e parë të Gostivarit në këtë ndeshje.

I njëjti futbollistë në minutën e 56-të nga pika e bardhë shënoi edhe golin e dytë personal dhe të tretin për Gostivarin, teksa rezutatin përfundimtarë të këtij takimi, Struga Trim Lum 1, Gostivari 4, e vendosi Betim Miftari, i cili tashmë e ka lënë pas vetes dëmtimin, transmeton “infOSport.mk”.

Me këtë fitore Gostivari arriti në kuotën e 9 pikëve, duke u renditur tashmë në pozitën e tretë, ndërsa në dy pozitat e para qëndrojnë Genç Kalemler dhe Struga Trim Lum që kanë nga 10 pikë.

Leave a Reply